E nisur në vitin 2016 nga CHwB Kosova, platforma Heritage Space merret me proceset e krijimit të kuptimeve dhe vlerave në fushën e trashëgimisë. Heritage Space fton studiuesit dhe praktikuesit e kulturës që të ruajnë trashëgiminë kulturore duke përdorur qasje ndërdisiplinore, siç janë hulumtimi me shkrim, krijimtari kreative fiktive dhe jo-fiktive, art bashkëkohor, prodhim të filmave, rrëfim digjital dhe arkiva alternative. Që nga fillimi i saj, platforma ka realizuar thirrje të hapura në baza vjetore, duke mbështetur gjithsej 52 projekte në mediume të ndryshme përmes mentorimit profesional, si dhe përkrahjes financiare dhe teknike. Nga edicioni i tij i fundit, thirrja e hapur vjetore e platformës është shndërruar në një program dyvjeçar, duke lejuar një angazhim më thelbësor me projektet e përzgjedhura. Ky ndryshim reflekton një përkushtim më të gjerë për të mundësuar procese më të strukturuara dhe të zgjeruara të hulumtimit dhe prodhimit, por duke vazhduar me praktikat e mentorimit dhe eksplorimit ndërdisiplinor.
Duke u larguar qëllimisht nga një pikëpamje që kufizon fushën e trashëgimisë në praktikat e zakonshme të ruajtjes, të cilat shpesh i ngarkojnë vlera të qenësishme dhe të pandryshueshme materialeve dhe vendeve, Heritage Space përpiqet të trajtojë procesin e krijimit të trashëgimisë si një negociim subjektiv dhe dinamik i narrativave historike, identitetit kolektiv, kujtesës dhe vendit. Ky shqyrtim merr rëndësi të veçantë në kontekstin e Kosovës, ku çdo diskurs mbi trashëgiminë është i ngarkuar me pasojat komplekse të luftës, traumës, kolonizimit dhe përpjekjes për njohje. Përvojat e ndërlidhura me trashëgimi në të cilat ne përqëndrohemi shpeshherë janë të ndjeshme, të vështira, të përkohshme, të padukshme, apo të ndërprera. Për të artikuluar këto përvoja, nevojiten mjete jokonvencionale dhe eksperimentale, të cilat kryesisht kanë munguar nga fushat e trashëgimisë. Si rrjedhojë, Heritage Space angazhohet me pyetjen e metodologjisë—mënyra se si diçka del në sipërfaqe si trashëgimi është po aq e rëndësishme sa çka.
Arkivimi i Shkëputjeve
Dokumentet e shpërndara, dyert e mbyllura dhe amnezia institucionale bëhen shkas për t’i vënë në pyetje praktikat arkivore apo mungesën e tyre. Arkivat janë struktura të kujtesës kolektive dhe vazhdimësisë historike, por janë gjithashtu vende aktive të pushtetit, ku narrativa të caktuara negociohen, kontestohen ose përforcohen. Si të tilla, arkivat nuk përcaktohen vetëm nga ajo se çfarë ruhet, por edhe nga çka përjashtohet dhe margjinalizohet. Atëherë, si mund t’i trajtojmë mungesat dhe njëanshmëritë në arkivat tona, për të zbuluar histori të humbura dhe materiale të përkohshme që janë lënë pas? Si mund të ndihmojnë qasjet eksperimentale në krijimin e një tregimi alternativ ndaj dëshmive historike të fragmentuara ose të humbura?
Ftojmë propozime që kanë për qëllim aktivizimin dhe shqyrtimin e arkivave për të sjellë mënyra të reja të të menduarit mbi të kaluarën dhe të tashmen, duke zbuluar tregime vendore të harruara ose të panjohura. Propozimet mund të përqëndrohen në zbrazëtitë e arkivave institucionale ose, në anën tjetër, në arkivat etnografike popullore ose të papërpunuara që ofrojnë një kundër-narrativë ndaj diskursit dominues institucional. Projektet mund të përfshijnë kërkime mbi formimin historik të institucioneve dhe lëvizjeve, si për shembull: platformat alternative të mësimit, historitë e klasës punëtore dhe lëvizjeve të punëtorëve, organizatat e ndryshme të pakicave kombëtare, platformat feministe, apo lëvizjet underground dhe subkulturore. Për të trajtuar heshtjet arkivore, inkurajojmë metodologji alternative të kërkimit, si taktikat queer, feministe dhe antiraciste, zhvilluar në rezistencë kundër strukturave arkivore shtypëse dhe/ose paragjykuese.
Trashëgimia e Krizave
Shumica e shoqërive bashkëkohore jetojnë me plagë të historisë që nxisin apo janë rezultat i luftërave, trazirave civile, dhunës sistematike shoqërore dhe diskriminimit. Këto periudha të krizave prodhojnë pasoja shoqërore, psikologjike dhe historike që mund të gjurmohen në një sërë ngjarjesh, hapësirash apo praktikash. Në kontekstin tonë, këto mund të përkojnë me vende dhe praktika të rezistencës dhe mosbindjes civile, apo kujtime të mizorive, siç janë masakrat dhe ekzekutimet, abuzimi seksual në kohë lufte, shtigjet e shpërnguljeve, vendndodhjet e zhdukjeve, humbjet materiale dhe të paprekshme, vendet që lidhen me të burgosurit e luftës dhe burgjet civile apo politike. Trashëgimia e krizave gjithashtu shtrihet në praktikat shëruese, ritualet kulturore dhe shprehjet që komunitetet kanë përdorur për të kuptuar dhe për t’u rikuperuar nga po këto kriza.
Metodologjitë që synojnë të shënojnë, përkujtojnë, ruajnë dhe dokumentojnë, individualisht ose institucionalisht, tregimet dhe kujtesën e vendeve, ngjarjeve dhe praktikave të lartpërmendura, apo që ofrojnë qasje të reja mbi praktikat e ballafaqimit me të kaluarën, janë fusha me interes për hulumtim, interpretim dhe dokumentim.
Rrëfim dhe Interpretim
Të vendosura së bashku, praktikat e rrëfimit dhe interpretimit luajnë rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës se si e përjetojmë, komunikojmë dhe qasemi ndaj trashëgimisë kulturore. Përtej detajeve faktike, tregimi dhe interpretimi fokusohen në përvojat personale dhe intime që i lidhin njerëzit me ndjenjën e vendit dhe kohës dhe, si të tilla, zbulojnë formësimin subjektiv të trashëgimisë.
Propozimet që kanë të bëjnë me ‘Rrëfim dhe Interpretim’ mund të mbështeten në histori individuale, kolektive dhe kombëtare të ruajtura dhe rrëfyera si tregime, njohuri lokale dhe thashetheme, përralla, mite, legjenda, gojëdhëna, këngë, tregime vizuele, trillime të bazuara në të vërteta, të cilat në tërësi, përmes mediumeve të ndryshme, shpalosin perspektiva që kanë për qëllim të argëtojnë, edukojnë, ruajnë dhe pasurojnë kulturën tonë të përbashkët.
Kaltrina Krasniqi
Kaltrina Krasniqi (1981) është regjisore dhe hulumtuese nga Kosova, fituese çmimesh, e cila punon në fushën e filmit dhe humanistikës digjitale që nga fillimi i viteve 2000. Ajo është bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë, një arkiv digjital që ruan histori personale nga individë të ndryshëm të shoqërisë. Përveç kësaj, ajo është themeluese e Vera Films, një kompani prodhimi filmi që mbështet zërat e kineastëve të rinj. Kaltrina ka diplomuar për Regji Filmi në Universitetin e Prishtinës në vitin 2004 dhe në vitin 2011 ka përfunduar studimet e saj master në Institutin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Kosovës. Në vitin 2015, ajo e thelloi më tej ekspertizën e saj në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), ku u specializua në Prodhimin e Filmit. Filmi i saj i parë artistik, Vera Andron Detin, pati premierën në Festivalin e 78-të të Filmit në Venecia dhe fitoi një sërë çmimesh, përfshirë Grand Prix në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në vitin 2021 dhe Çmimin Ingmar Bergman në Festivalin e Filmit në Gothenburg në vitin 2022. Aktualisht, ajo është duke punuar në filmin e saj të dytë, Bleach, i cili pritet të shfaqet në vitin 2026.
Zef Paci
Zef Paci është profesor i Historisë së Artit dhe i Pikturës në Fakultetin e Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Arteve, Tiranë. Krahas veprimtarisë didaktike, ai ka marrë pjesë në ekspozita si autor, ka realizuar disa skenografi teatri (2008, 2009), afreske (1995) për katedralen e Shkodrës e vitrazhe për atë të Vaut të Dejës (2005 -2007, 2022). Është autor tekstesh, artikujsh, esesh e përkthimesh mbi artin pamor e fotografinë dhe pjesmarrës në konferenca e workshope: ”Marubi, fotografia si ritual”, Princ, (2012). Ka kuruar një sërë ekspozitash vetjake dhe në grup në fushën e artit dhe të fotografisë brenda e jashtë vendit. Ndër to mund të përmendim: Çmimi Ardhje, Tiranë / Çmimi Idromeno, Shkodër / “Marubi, life in images” GR Art Gallery, CT, SHBA (2017) / “Marubi il rituale fotografico” Triennale di Milano (2018) / “Lekë Tasi, Vizatimet e një jete” (2019), Harabel & fab /“Pjetër Rraboshta” Muzeu i Fotografisë Marubi (2021) / ”Dramamine” Lek Gjeloshi, bazament (2021)/ “Rerouting” George Pali, ekspozitë vetjake GR Art Gallery, CT, SHBA (2022) / “after party” Enkelejd Zonja, Vigan Nimani, Galeria e MKK, (2022) / “Territore përvojash të përjetuara” Edi Hila ekspozitë vetjake, COD, (2023) / “Gjyqe” ekspozitë nga fondi i ATSH në bashkëpunim me Muzeun Marubi.